Tiranë – Topalli: Kuvendi mund të zhvendoset tek Piramida

Duke folur në një konferencë për shtyp së bashku me Kryetaren e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Helene Hayman, Topalli theksoi se në 100-vjetorin e pavarësisë Shqipëria meriton që të ketë një ndërtesë të re të Parlamentit dhe sipas disa propozimeve nga deputetët mendohet që ky institucion të zhvendoset te Piramida. Drejtuesja e Kuvendit shtoi se asaj i duket me shumë interes propozimi i deputetëve për godinën e re. “I tregova Baroneshës për zhvillimet e fundit në Shqipëri, për ekonominë, situatën politike, turizmin dhe i thashë asaj se kjo është një stinë e madhe për vendin tonë, pasi më në fund shqiptarëve do t’u plotësohet ëndrra për të lëvizur të lirë”, tha Topalli. Nga ana e saj baronesha Hayman shprehu admirimin e saj për Shqipërinë, që si një vend i vogël ka arritur të shënojë progres në procesin e integrimit dhe marrëdhënieve dypalëshe e më gjerë. “Gjatë qëndrimit tim këtu pashë përgjegjësinë e vendit tuaj për zhvillimin e institucioneve. Dua të mësoj edhe për sfidat me të cilat po përballet vendi juaj”, tha Baronesha Hayman. Në orën 18:00 ajo do t’i drejtohet kuvendit me një fjalim në seancën plenare.

Advertisement