Tiranë – ILDKP nis hetimin e pasurive të zyrtarëve

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, ka firmosur Urdhrin për nisjen e kontrollit të plotë për 50 subjekte, në zbatim të nenit 17 të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe nenit 26 të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”. Në këtë fazë të rëndësishme të procesit të kontrollit, ILDKP, në funksion të një hetimi më të plotë administrativ për interesat private të zyrtarëve, kërkon bashkëpunimin e medias, shoqërisë civile dhe opinionit publik, që të ofrojë të dhëna mbi pasuritë e zyrtarëve, për të cilat ka dyshime se janë krijuar në mënyrë të paligjshme. Për të nxitur aktivizimin e qytetarëve në procesin e hetimit administrativ, ILDKP ka vënë në dispozicion numrin pa pagesë 0800-999. Lista e zyrtarëve që kalojnë në kontroll të plotë është hartuar në zbatim të nenit 17, pika 2 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2009 “Për parandalimin e konfliktit te interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, sipas të cilit, “kontrolli i plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së të dhënave që përmbahen në deklaratë kryhet”: Çdo 2 vjet për zyrtarët e përcaktuar në: Kryeministri, Zv/kryeministri, ministrat, zv/ministrat, anëtarët e autoriteteve rregullatore, Enti Rregullator i Energjisë, Enti Rregullator i Ujit, Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, anëtarët e Autoritetit të Mbrojtjes së Konkurrencës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Zv/guvernatori, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Presidenti, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Kryetari i KLSH-së, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i KQZ-së, anëtari i KLD-së. Bazuar në këtë dispozitë ligjore, numri i zyrtarëve që kalojnë në kontroll të plotë është 300, nga të cilët për 50 subjekte ka nisur procedura e hetimit administrativ, ndërsa në ditët në vijim do të nisë e njëjta procedurë edhe për 250 zyrtarët e tjerë. Në listë nuk përfshihen vetëm ata zyrtarë të nivelit të lartë, të cilët aktualisht janë në kontroll të plotë ose të cilëve nuk u është plotësuar afati dy-vjeçar për rikontroll. Gjatë kryerjes së kontrollit të plotë, referuar nenit 26 të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” Inspektorati i Lartë ka të drejtë të shfrytëzojë të dhënat e nevojshme në të gjithë aparatin shtetëror e publik dhe në personat juridikë publikë e privatë. Me kërkesë të Inspektorit të Përgjithshëm bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim. Subjektet e mësipërme janë të detyruara të vënë në dispozicion të gjitha të dhënat e kërkuara brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës me shkrim nga Inspektori i Përgjithshëm.

Advertisement