Kosovë – SHBA-të në pritje të propozimeve për temat e bisedimeve

Këtë qëndrim, lidhur me dialogun dypalësh e ka pohuar ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, sipas të cilit SHBA-të ende nuk kanë vendosur nëse do të përfshihen në bisedimet që pritet të zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse Prishtina zyrtare insiston se njëra prej palëve ndërmjetësuese duhet të jetë diplomacia amerikane. “Do të shikojmë me kujdes se çfarë do të propozojë BE-ja dhe nëse shohim se struktura e bisedimeve dhe çështjet në agjendë janë të përshtatshme dhe nëse Kosova beson se kjo është rruga e duhur përpara, atëherë jemi të gatshëm ta mbështesim procesin. Por, së pari duhet t’i shohim propozimet, para se të biem dakord”, tha ambasadori Dell, pas takimit të zhvilluar me kryetarin e komunës së Mamushës, Arif Bytyçi. Sipas tij, pala kosovare nuk ka arsye që të ndihet e shqetësuar nga fillimi i bisedimeve, meqë prapa do t’i ketë miqtë që, sipas diplomatit amerikan, nuk do të lejojnë devijimin e temave. Ndërkaq, bëhet me dije nga mediat kosovare se javën që vjen, kryediplomatja evropiane Catherine Ashton do të takohet në Nju Jork me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, ku do të diskutojnë modalitetet e nisjes së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Advertisement