Ata janë përkatësisht, Ilir Meta, kryetar i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, tashmë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës si edhe Edmond Haxhinasto, ministër i Punëve të Jashtme. Ceremonia e sotme u zhvillua pas miratimit që Kuvendi u bëri dekreteve për miratimin e posteve të tyre të reja në seancën e mbrëmshme plenare, përmes votave të mazhorancës, pasi deputetët e opozitës e bojkotuan atë. Ministri i ri i Ekonomisë, Ilir Meta, zëvendëson në këtë post, paraardhësin e tij Dritan Prifti, i cili u shkarkua pak ditë më parë nga kjo detyrë pas një vendimi të marrë nga Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa Edmond Haxhinasto ishte i propozuari i këtij organizmi për postin e kryediplomatit në qeverinë Berisha.