Kosova përkujton sot 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë.
Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.
Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar.
Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë bombarduan fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë u futën në fshat dhe nisën bastisjet.
Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore për t’u mobilizuar për Kosovën.
Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të Sllobodan Millosheviç.
Pas Reçakut, çështja e Kosovës ishte pjesë e konferencës ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
Reçaku në atë periudhë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë.
Shefi i misionit të OSBE-së, William Walker shkoi në vendin e krimit dhe e cilësoi atë: Krim kundër njerëzimit.
Pas Masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave.
Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi.
Për herë të parë, skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.