Deputeti i PD-së, Eduart Halimi theksoi sot se publikimi i kontratës së pallateve tek Liqeni, ku 20%-shi i aksioneve apo i fitimit kalojnë në emrin e Leprit të Edvin Ramës, është kapja me provë e Kryetarit të Bllokmenëve të rinj. “Deponimi në Prokurori i investitorëve mbi 20%-shin që Edvin Rama i imponon, në këmbim të planit të ndërtimit e të lejes së ndërtimit, është vetëm maja e ajsbergut të skemës së pasurimit të çmendur të Mr. 20%”, tha në konferencën e sotme për shtyp, deputeti Eduart Halimi. Sipas tij, futja me 100 milion euro fitim e partnerit të Edvin Ramës, Dritan Avllaj apo Tan Lepri, është vetëm njëri rast i funksionimit të skemës mafioze me të cilën vepron Mr. 20%-shi, prej 12 vitesh. Deputeti demokrat nënvizoi se kryebashkiaku Rama nuk kënaqet më me përqindjen fatale të 8 apo 9 kateve, andaj sipas zotit Halimi, për të rritur vlerën absolute të 20%-shit në këmbim të lejeve, katet e kullave tani projektohen jo 8 apo 10, por 30 dhe 35 kate.