Bler e quajti “privilegj dhe nder të jashtëzakonshëm” medaljen që e pranoi nga Klintoni, meqë Filadelfia, ku ndodhet qendra, tha ai, ishte djepi i lirisë dhe demokracisë dhe i Kushtetutës amerikane. Qendra Kombëtare Kushtetuese e ka vlerësuar Blerin për përpjekjet e tij në Irlandën Veriore dhe në Kosovë, si dhe për punën e vazhdueshme si emisar i posaçëm për Lindjen e Mesme, pas largimit nga zyra. Klinton, i cili është kryetar i qendrës, e theksoi mbështetjen e Blerit për intervenimin në Kosovë në vitin 1999, për të parandaluar spastrimin etnik, si dhe rolin e tij aktual si përfaqësues në procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Nëse arrihet marrëveshja në Lindjen e Mesme, tha Klinton, ajo do të ndihmojë që “të thahet lumi i urrejtjes në atë rajon dhe do ta minojë këngën e terroristëve në mbarë botën”. Ish-presidenti amerikan falënderoi Blerin duke e quajtur “qytetar të mrekullueshëm të botës”, i cili “jetoi një jetë të vlefshme për këtë çmim”. “Themeli i tij i besimit e promovoi religjionin si forcë të fuqishme për të mirën dhe pajtimin. Toni Bler është i bindur se njerëzit, të cilët besojnë, mund të jenë njerëz të paqes”, tha Klinton. Bler foli për ato që i quajti “shtatë mësime të lirisë”, duke thënë se lirisë i duhet optimizmi, i duhen rojtarë dhe njerëz që i respektojnë dallimet e njëri-tjetrit. “Dua të shoh një botë, dhe përpiqem për atë botë, në të cilën njerëzit janë të lirë ta ndjekin religjionin e tyre pa frikë apo favore dhe t’i respektojnë ata që kanë besime të tjera”, tha Bler.