Tiranë – Meta tërhiqet nga MPJ për të qenë më pranë LSI-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta pranoi për mediat se tërheqja e tij nga posti i shefit të diplomacisë shqiptare vjen për shkak të mungesës së tij të vazhdueshme në drejtimin e LSI-së, për shkak të axhendës së ngjeshur të punës në krye të dikasterit të Punëve të Jashtme. Kreu i LSI-së tha se “Unë nuk dua të merem me spekulime, por nuk është tashmë sekret, se kishte një lloj konflikti mes punës sime si ministër i Jashtëm dhe detyrës sime si kryetar i LSI-së, ku gjatë kësaj kohe më shumë se 100 ditë kam qenë larg fizikisht nga LSI, forcës politike që unë përfaqësoj. Një largësi e detyruar nga rrethanat dhe puna në drejtimin e MPJ-së”, ku ministri i Jashtëm përmendi procesin e liberalizimit të vizave dhe çështjen e Kosovës. “LSI ka marrë disa vendime që u bënë publike dhe unë nuk dua të shpjegoj më tej, por dua t’ju siguroj, tha Meta se meqënëse vazhdoj të përmbush detyrën si ministër i Jashtëm, edhe ai që do të vijë, Edmond Haxhinasto do të vijojë me dedikim të përmbushë detyrat e kësaj ministrie”. Vendimet për liberalizimin e vizave dhe konsolidimi i çështjes së Kosovës , ju siguroj se janë prioritetet edhe në punën e zotit Haxhinasto, tek i cili kam besim të plotë, tha më tej Meta. Lidhur me postin e Ministrit të ardhshëm të Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës, që pritet të dekretohet nga presidenti Topi, Meta garantoi se “METE ka më shumë detyrime se çdo ministri në fushën e integrimit evropian”. Zëvendëskryeministri Ilir Meta u shpreh i bindur edhe në punën e qeverisë Berisha duke garantuar se bashkëpunimi me këtë koalicion do të vijojë mbi perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë, për të cilin Meta nënvizoi se Qeveria është e angazhuar të realizojë legjislacionin shqiptar me reformat integruese.

Advertisement