Tiranë – Kryeministri konfirmon ndryshimet e propozuara në qeveri

Në një komunikim me mediat pas propozimeve të LSI-së, shefi i ekzekutivit ka deklaruar se i pranon propozimet e aleatit të saj kryesor në qeveri. “Shumë muaj më parë Ilir Meta më ka folur për ndryshime në qeveri duke shprehur shqetësimin se axhenda e ngjeshur e ministri të Jashtëm nuk i jepte kohën e duhur për të qenë pranë LSI-së.” Në këtë kontekst, kryeministri pranoi se i kishte kërkuar që pikërisht në këtë kohë të qëndronte ende në postin e tij, për shkak se në diplomaci priteshin vendime të rëndësishme mbi çështjen e Kosovës si mendimi i GJND-së dhe miratimi i rezolutës në OKB. Kryeministri Berisha deklaroi sakaq se propozimet e LSI-së, për vendosjen e Ilir Metës si ministër i Ekonomisë dhe të Edmond Haxhinastos në postin e ministrit të Jashtëm do të nisen për t’u dekretuar nga Presidenti i Republikës. Duke mbrojtur ndryshimet e propozuara, shefi i Ekzekutivit ka mbrojtur punën e ministrit aktual të Ekonomisë, Dritan Prifti, duke theksuar se reformat ekonomike përparuan edhe më tej gjatë drejtimit të dikasterit nga ana e tij. Në vend të ministrit Prifti, LSI ka propozuar të vendoset ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Ndërsa në postin e Metës të vendoset nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto. Më tej zoti Berisha ka deklaruar se partia e tij nuk do të propozojë ndryshime në qeveri, duke nënkuptuar se ministrat e PD-së do të qëndrojnë të palëvizur në postet e tyre respektive.

Advertisement