Vetëm dy ditë përpara përvjetorit të tragjedisë së 15 marsit të shkuar, Prokuroria e përgjithshme ka mbyllur dosjen “Gerdeci” dhe e ka dërguar atë në Gjykatën supreme të vendit. Kryeprokurorja Ina Rama parlajmëroi se brenda pak ditësh dosja që përmban si të pandehurin kryesor nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, ish ministrin e mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të shkojë në Gjykatë, por nuk dha një datë të saktë të këtij dorëzimi, i cili ka ndodhur pikërisht pasditen e djeshme. Dosja është dorëzuar në gjykatë brenda afatit i cili skadonte në datën 17 mars. Zyrtarisht janë 28 të pandehur të cilëve Prokuroria e Përgjithshme u ka komunikuar akuzën pas përfshirjes në tragjedinë ku u vranë 26 persona. Përvec katër të arrestuarve, pronarit të Kompanisë “Albademil” Mihal Delijorgji, i akuzuar për vrasje masive, ish drejtorit të “Meico” Ylli Pinari nën të njëjtën akuzë, Dritan Minxhollit dhe Sokol Gjecit, pjesa tjetër e të akuzuarve janë në gjendje të lirë, mes tyre edhe ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu i akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim.