Zyra Ndërkombëtare Civile, që udhëhiqet nga Piter Feith, është e shqetësuar për emërimet e anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike. Shqetësim është shprehur veçanërisht për emërimet në Koorporatën Energjetike të Kosovës si dhe në Postën dhe Telekomin e Kosovës. Ndonëse anëtarët e bordeve janë emëruar nga Qeveria më 30 dhjetor të vitit të kaluar, kjo e fundit nuk e ka informuar ICO-në nëse njerëzit që janë vendosur në borde kanë kualifikim të duhur profesional. Piter Feith gjatë kësaj jave i ka kërkuar kryeministrit Hashim Thaçi më shumë informacione për anëtarët e bordeve. Opozita dhe shoqëria civile vazhdimisht kanë kritikuar ekzekutivin për anëtarët e bordeve të këtyre ndërmarrjeve, duke thënë se aty janë vendosur njerëz të partive politike pa kualifikime të duhura profesionale.