Florence Pugh është nominuar për Oscar dhe është një ndër aktoret më të njohura në Hollywood, por në fillimet e karrierës ka hasur disa peripeci.
Ajo ka rrëfyer për “The Telegraph” se kur ishte 19 vjeç dhe dëshironte të luante rolin e një ylli pop në një serial televiziv në Los Angeles, i kërkuan të ndryshonte pamjen e saj, për t’iu përshtatur standardeve të bukurisë.
Sigurisht, toksiciteti dhe presioni asokohe ka qenë shumë më i madh dhe pikërisht kjo e dekurajoi aktoren.
“Të gjitha gjërat që ata po përpiqeshin të ndryshonin tek unë – qofshin pesha, pamja, forma e fytyrës dhe vetullave të mia – nuk ishin kurrë ajo që doja të bëja, apo industria ku doja të punoja”.
Ajo nuk mori më asnjë lajm nga seriali dhe u kthye në Mbretërinë e Bashkuar, ku iu bashkua kastit të “Lady Macbeth” dhe mori vëmendjen që meritonte.
Florence foli për këtë përvojë dhe u shpreh: “Kjo më bëri të dashurohesha sërish me kinemanë, me atë lloj kinemaje ku mund të kishe opinione dhe të shpreheshe me zë të lartë”. Ajo theksoi se edhe sot e kësaj dite vijon t’i qëndrojë besnike të njëjtit standard.
“Unë mendoj se në këtë industri, është shumë e lehtë që njerëzit t’ju shtyjnë sa majtas-djathtas. Unë pata fatin ta zbuloja që 19 vjeç se çfarë aktoreje doja të bëhesha”, rrëfeu ajo.
Sot, Pugh numëron një numër të madh rolesh të suksesshme në karrierë, pa ndryshuar peshën, vetullat dhe formën e fytyrës.