Fjala është për Samitin e pestë të Kroacisë, i cili pritet të zhvillohet në datën 9 dhe 10 korrik në Dubrovnik, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili është ftuar nga kryeministrja kroate Jadranka Kosor. Ndërkaq, ashtu si në samitin e Bërdos i cili ishte organizuar nga Sllovenia, presidenti serb nuk u paraqit për shkak të pranisë së kryeministrit kosovar. Sipas të dhënave, në samitin e pestë kroat në Dubrovnik, kryeministrja e Kroacisë ka ftuar edhe shumë homologë të saj nga vende të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ku mes të ftuarve do të jenë edhe kryeministri italian Silvio Berluskoni, ai francez Fransoa Fillon, kryeministri polak Donald Tusk, kryeministri bullgar Bojko Borisov. Ndërkaq, bëhet me dijeni se do të ishin të pranishëm edhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit, ai i Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Gjatë tij do të shqyrtohen çështje politike që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik dhe atë të sigurisë në Evropën Juglindore, si dhe çështje të politikës globale dhe mënyrave për të dalë nga recesioni ekonomik.