Kështu është shprehur kryeministri Berisha gjatë fjalimit që mbajti në ceremoninë e përurimit të një impianti teknologjik për rrugët rurale në Bërxullë të Tiranës, ku ka theksuar se qeveria është e angazhuar që t’u kursejë qytetarëve shqiptarë gjysmën e kohës që u merr aktualisht transporti. “Në përpjekjet e qeverisë për të ndërtuar rrugë në çdo cep të vendit, me anë të kësaj teknologjie të re, hapet një kapitull të ri. 6 mijë kilometra rrugë ka qenë bilanci i rrugëve të asfaltuara dhe rehabilituara nga qeveria në katër vitet e kaluara. Por Shqipëria është një vend i vogël me rrugë të gjata, dhe kanë mbetur edhe 7 mijë kilometra rrugë të tjera për t’u rindërtuar. E ne mendojmë se në fund të këtij mandati do të mundemi ta realizojmë edhe këtë fazë, duke e kthyer vendin tonë në një vend plotësisht evropian”, tha në fjalën e tij, kreu i qeverisë. Duke shtuar se qeveria do të fillojë të ndërtojë edhe Rrugën e Arbrit me segmentin e saj të parë, Klos-Tiranë. “Kështu që ne do ta takojmë vitin 2013, si një vend me infrastrukturë rrugore, tërësisht të re dhe këtë garanci na e jep teknologjia që po inaugurojmë sot, e cila na detyron të mendojmë se do ta mbajmë premtimin para qytetarëve shqiptarë”, tha në fjalën e tij Berisha. Më tej, ai ka shtuar se me anë të kësaj teknologjie, krijohen mundësi të ndërtimit të rrugëve jo vetëm me shpejtësi të pakrahasueshme, por edhe me një cilësi dhe kosto të leverdisshme. “Kjo teknologji shkurton në mënyrë të jashtëzakonshme kohën dhe transportin, duke bërë që ne të arrijmë objektivi ynë që çdo qoshe e këtij vendi të lidhet me kryeqytetin në një afat dy herë më të shkurtër nga sa lidhet sot”, përfundoi ai.