Zjarri tragjik në spitalin e Tetovës/ 14 viktima, angazhohen 5 prokurorë për të hetuar shkaqet! 3 ditë zie në Maqedoninë e Veriut

Tre ditë zie kombëtare u shpallën në Maqedoninë e Veriut, pasi 14 pacientë të spitalit COVID në Tetovë mbetën të vdekur një natë më parë nga një shpërthim zjarri rreth orës 21:02.

Mbi 30 zjarrfikës me 7 makina kanë luftuar me flakët dhe kanë bërë të mundur shuarjen e tyre për gjysmë ore.

Advertisement

Zjarrfikësi Sasho Trajçevski deklaroi se zjarri ka qenë shumë i madh dhe se nga spitali janë nxjerrë viktima.

Deri tani nuk dihen ende shkaqet e shpërthimit të zjarrit, ndërsa pesë prokurorë janë angazhuar dhe janë në terren ku po kryejnë ekspertizë për të zbardhur ngjarjen. Zjarri mendohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.

“Në ora 21 e 2 minuta kemi marr njoftimin se po digjet spitali modular në qendrën medicinale në Tetovë. Ekipet e zjarrfikësve për 3-4 minuta kanë arritur në vendngjarje me 7 makina dhe mbi 30 zjarrfikës. Megjithatë kur ekipet tona kanë arritur në vendngjarje, gjithçka ishte në flakë. Ne bëmë të pamundurën dhe në ora 21:30 minuta zjarri është shuar. Zjarri ishte shumë i madh sepse spitali modular ishte nga plastika”, deklaroi Sasho Trajçevski, zjarrfikës sipas Alsat.

Në vendngjarje ka shkuar menjëherë kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, e cila me lot në sy përpara mediave u shpreh se dhimbja është shumë e madhe për ngjarjen.

E pyetur nëse ka lidhje shpërthimi me një incident të para dy javëve, kur ishin dëmtuar instalimet e oksigjenit në këtë spital modular, Arifi tha se hetimet do të tregojnë shkaqet e incidentit.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të lënduarit nga zjarri  janë dërguar në Shkup.

“Zjarri tashmë është lokalizuar dhe të gjitha ekipet nga spitali janë mobilizuar që të ofrojnë ndihmë për të lënduarit. Ata urgjentisht transportohen në Shkup që t’u ofrohet kujdes adekuat, ekipet e Klinikës po mobilizohen. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe është në Tetovë. Pas ekspertizës në terren do të njoftojë publikun për gjendjen faktike”, thanë nga ministria.

Gjatë mesnatës kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe anëtarë tjerë të qeverisë, të cilët morën pjesë në një mbledhje të shtabit të krizës në Tetovë, por asnjë prej tyre nuk u prononcua për incidentin.