Chelsea i Londrës në çatinë e botës. Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel mposhti 1-0 ManchesterCity-n në finalen e madhe të Champions League, duke triumfuar për herë të dytë në histori në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.
Një sukses më se i merituar nga blutë e Londrës, falë golit të gjermanit Kai Havertz në minutën e 42-të, pas një pasimi perfekt të marrë nga Maison Mount, duke përmbyllur në mënyrën e duhur një kundërsulm të shpejtë.
Një tjetër dështim për Pep Guardiolën në Champions, ose më saktë ky duel trajnerësh u fitua nga Thomas Tuchel, që kishte hedhur në fushë një formacion të ndërtuar për t’i bërë ballë cilësisë së kundërshtarit, por në të njëjtën kohë e aftë për të qenë e rrezikshme në çdo dalje në sulm. E vështirë të veçosh një lojtar të Chelsea-t, që funksionoi si një trup i vetëm, me shpirt të lartë sakrificë.
Një tjetër trofe i madh i shtohet palmaresit të Chelsea-t në epokën e Roman Abramovichit, pasi përveç dy Champions, ka fituar edhe dy Europa League, pesë tituj të Premier League-s, pesë FA Cup dhe pesë League Cup.