Ardian Bujupi bashkon forcat me artisten e njohur gjermane

Ardian Bujupi duket se ka planifikuar goxha surpriza për këtë vit dhe e radhës sapo është zbuluar. Nëpërmjet një fotoje të publikuar në Instagram, ditën e sotme ai tregoi se do lançojë projektin e ri të enjten, në bashkëpunim me këngëtaren e njohur gjermane Vanessa Mai. Në foto ata shihen përkrah njëri-tjetrit, teksa ky është projekti i parë që i bën bashkë. Por me siguri s’do jetë i fundit, pasi fansat e kanë pëlqyer shumë këtë kombinim dhe nuk i kanë kursyer fjalët e bukura në postimin e artistit. “LANDEBAHN të enjten në 23:59, në bashkëpunim me Vanessa Mai”- shkroi këngëtari në mbishkrimin e fotos.

Advertisement

Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për një këngë ritmike apo baladë por mezi po presim ta mësojmë. Ardiani është konsideruar shpesh si një “makineri këngësh” për shkak se është shumë aktiv në muzikë me projekte të reja. Rreth dy javë më parë, Ardiani publikoi “Ka je bonita”, që u bë menjëherë virale në Internet. Kjo këngë u përqafua menjëherë nga fansat të cilët krijuan edhe një kërcim në TikTok me të.