Dhurata e Ronela Hajatit dhe Dj Sardit për 100 vjetorin e Tironës

100 vjetori i K.F Tiranës, ekipit të futbollit të kryqytetit, nuk kishte si të shkone më mirë pasi këtë vit, pas një sezoni spektakolar, u shpall kampione e Shqipërisë. Për të festuar arritjen e madhe sportive, por edhe historinë e tyre të pasur, klubi në bashkëpunim me Ronela Hajatin dhe Dj Sardin kanë sjellë “himnin” e ri të Tironës.

Kënga e quajtur “Bardh e Blu” është publikuar pak minuta më parë dhe është vërtetë një dhuratë e veçantë për të gjithë tifozët e ekipit. E gjitha nis me fjalët e Agustin Kolës, futbollistit të njohur të brezit të artë të Tiranës, dikur “17 Nëntori”:

Advertisement

Po të them diçka për ekipin tim 17 Nëntori. Nuk kam qenë vetëm unë, ishim grup. Kur flas për at’ vllain tim Ben Mingën, kam kalu jetën, më tepër kam ndejt me atë sa me familjen time, me vëllezërit e mi.

Më pas, nën thirrjet e tifozëve e ultrasve dhe brohorimave për gol, Ronela Hajati këndon vetëm fjalë dashurie për qytetin, ekipin dhe të gjithë atë që përfaqëson Tirona. Ndërkohë që videoklipi ”shëtit” në vendet më të spikatura të kryeqytetit, sigurisht edhe në shtëpinë e ekipit, stadiumin ”Selman Stërmasi”, aty ku mund të shohim futbollistët e ekipit në orkestrën e madhe të ngjyrave bardh e blu.

Po ashtu mund të shohim edhe disa nga momentet më të bukura te sezonit që u mbyll, golat dhe emocionet që ka dhuruar Tirona në fushën e blertë.

Dhuratë po, por edhe një letër dashurie e Ronelës, Sardit dhe klubit të futbollit për Tironën.

Burimi: News31.al