Italia nuk është shembulli më i mirë i mundshëm për t’u marrë për mënyrën se si e menaxhoi pandeminë në momentin e shpërthimit. Në Itali janë konfirmuar 243 mijë raste me Koronavirus dhe rreth 35 mijë viktima. Megjithatë, Italia është një shembull për t’u marrë për mënyrën se si po vepron pas zhbllokimit. Pavarësisht luhatjeve ditore, rastet e reja në Itali, janë gjithnjë në rënie.
Maskat janë të detyrueshme, ndërsa njerëzit janë përshtatur me realitetin e ri. Pa takime, pa përqafime dhe në distancë me njëri-tjetrin. Një studim amerikan, tregon një fakt të rëndësishëm që më shumë se kurrë mund të na vlejë aktualisht si një mësim i mirë, për të ndryshuar situatën aktuale në vend, e cila dita-ditës po përkeqësohet.
Hulumtimi, i botuar në revistën e Akademisë Amerikane të Shkencave (Pnas), krahason strategjitë e menaxhimit të Koronavirusit, të zbatuar në Itali, New York dhe Wuhan, duke treguar se detyrimi për të mbajtur maskë në vendet publike, është mjeti më efektiv për të ndaluar përhapjen e Covid-19.
Vetëm përdorimi i maskave ka ulur ndjeshëm numrin e infeksioneve me mbi 78,000 raste në Itali midis 6 prillit dhe 9 majit, dhe me mbi 66,000 raste në qytetin e New York midis 17 prillit dhe 9 majit.
Prandaj, ekspertët rekomandojnë përdorimin e një strategjie të kombinuar që siguron jo vetëm mbajtjen e maskave, por edhe distancimin shoqëror, karantinën dhe gjurmimin e kontakteve.