Lajmi është konfirmuar sot nga ambasada e Xhibutit në Paris, e cila ka njoftuar homologen e Kosovës në Paris me vendimin e qeverisë për të njohur Kosovën shtet të pavarur. Në letrën e nënshkruar nga ministri i Jashtëm, Mahmud Al Jusuf, mes të tjerash thuhet se qeveria e Republikës së Xhibutit ka marrë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Lidhur me këtë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni i ka shkruar homologut Jusuf, të cilin e falënderon për njohjen dhe i shpreh gatishmërinë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Shteti afrikan, Republika e Xhibutit, kufizohet me Eritrenë, Etiopinë dhe Somalinë, e ka rreth një milion banorë.