Tiranë – Berisha, aksioni opozitar është vendim i dëshpëruar i Ramës

Kështu ka pohuar kryeministri Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp, duke përmendur se opsioni i parë është ai që sipas tij, është rekomanduar zyrtarisht nga Këshilli i Evropës. “Ai sugjeron që pasi Rama t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe unë e kam mbështetur plotësisht këtë”, tha kryeministri Berisha. Duke vijuar më tej, se qeveria nuk mund ta bëjnë rrëzimin e vendimeve të gjykatave për asnjë çmim. “Rama mund t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias, sikundër ka edhe opsionin për pjesëmarrjen në komisionin e ngritur për transparencën e zgjedhjeve, ku ka shumicën”, theksoi kreu i qeverisë. “Zoti Rama e ka ndërmarrë grevën e urisë si një përpjekje për të përmbysur vendimet e gjykatave me mjete politike. Dhe kjo është në kundërshtim të hapur me themelet e një shoqërie të lirë” ka vijuar kryeministri Berisha. Sipas tij, çdo forcë, shoqatë apo çdo qytetar i këtij vendi ka e do të ketë të garantuar lirinë e plotë të të gjitha formave të protestave paqësore dhe ky mbetet një obligim kushtetues. Por e ka cilësuar aksionin konkret opozitar, si një vendim të dëshpëruar të kryesocialistit Edi Rama. “Dua t’u garantoj se si kryeministër, nuk humbas kurrë ndjeshmëritë njerëzore ndaj cilitdo që është në vuajtje, mbetet tipar kryesor i moralit tim në rrafshin njerëzor dhe në këtë kontekst, shpreh keqardhjen për veprimin e dëshpëruar të Ramës. Kam porositur të gjitha institucioneve, që ndaj të ngujuarve të tregohet kujdes shëndetësor dhe të vendosen kontakte zyrtare me drejtuesit e grevës, në mënyrë që të merret masë për sigurinë e jetës së tyre”, tha më tej kreu i qeverisë. Ndër të tjera, ai i ka kujtuar kryesocialistit Rama se “vendimet e gjykatave në çdo vend të lirë respektohen dhe se ky vend ka tërësinë e institucioneve dhe ligjeve për të siguruar transparencën”.

Advertisement