Kështu, socialistët vendosin sot gjatë kësaj mbledhje të rëndësishme se çfarë qëndrimi do të mbajnë më tej lidhur me Kuvendin, si edhe mundësinë e rinisjes së valës së protestave në të gjithë vendin. Ndërkaq, përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste kanë pohuar paraprakisht se ata janë pro futjes në jetën normale të parlamentit. Kurse mbështetësit e kryesocialistit Edi Rama janë për vendosjen e një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, duke marrë pjesë në seancat plenare vetëm për të shprehur qëndrimin e tyre për transparencën e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të 28 qershorit. Paralelisht me këtë, Partia Socialiste kërkon që të vijojë edhe protestat në rrugë. Nga ana tjetër, ka edhe disa socialistë që e mohojnë kategorikisht hyrjen në parlament dhe janë vetëm për zhvillimin e protestave në rrugë. Ndërkaq, bëhet me dijeni paraprakisht se është menduar që rreth datës 30 prill, të zhvillohet një protestë e madhe në Tiranë.