Hollywoodi në zi, ndërron jetë gjeniu i heronjve si Spiderman dhe X-Men

Krijuesi legjendar i kompanisë Marvel Comics, që ka krijuar disa nga superheronjtë më të njohur, Stan Lee ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga vajza e tij. Ajo konfirmoi për “CNN” se ai u nda nga jeta në spital në Los Angeles. Ndërsa ende nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes.

Karriera e tij nisi me punë të vogla shërbimi në “Timely Comics”, si shkrimtar, kryeredaktor e më pas edhe si ilustrues. Emrin e artit e vuri Stan Lee, pasi botoi për herë të parë Captain America. Mirëpo, për disa vite u shkëput nga kjo industri pasi u bë pjesë e ushtrisë. Në vitin 1950, rikthehet sërish në “Timely Comics” për të krijuar një superhero të ri, që të konkuronte “DC Comics”.

Advertisement

Por, në atë kohë, interesi i amerikanëve për këtë gjini të letërsisë së argëtimit kishte rënë. Lee vendosi të tërhiqej. Por ishte bashkëshortja e tij e cila e bindi të jepte më të mirën, pasi e njihte mirë talentin e tij. Pas disa vitesh, Stan Lee nisi të krijojë Fantastic Four. Por dhe Thor, Iron Man, X-Men, Black Panther, Hulk dhe në vitin 1962, Spider Man.

Ai krijoi personazhe të paharrueshëm që magjepsën të gjithë botën.

Stanley Martin Lieber kishte lindur në një familje hebreje, emigrantë të ardhur nga Rumania në Nju Jork. Fansa nga mbarë bota por edhe aktorë të ndryshëm që kanë interpretuar personazhet e tij më të famshëm i kanë shprehur dhimbjen dhe vlerësimin për kontributin që i dha kinematografisë amerikane dhe asaj botërore.