Tiranë – Gjana, nuk shkelim Kushtetutën. Dokle, të burgosurit kanë votuar

Gjana është shprehur se Rama ka krijuar skuadriljen e tij, e cila sipas tij do të dështojë. Sipas Gjanës, historiku i Parlamentit ka treguar se kanë qenë qëndrimet e së majtës ato që kanë dëmtuar vendin. “Këto ditë është thënë rëndom se 18 marsi është darka e fundit dhe doni t’ia impononi këtë fakt kësaj salle, që ka 18 vjet dhe doni të bindni opinionin publik se gjërat do të diskutohen gjatë periudhës së PS. Por kjo sallë ka një arkivë që kujton se si jeni sjelle ju më parë. Shumë prej jush kanë qënë të pranishëm edhe më parë dhe tani doni të bëni skuadriljen e Ramës. Për fat të keq do t’ju mbarojë karburanti dhe do mbeteni në hava”, ka deklaruar Gjana. Ai ka shtuar më tej se kryeministri Berisha është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen, por jo duke shkelur Kushtetutën. Nga ana tjetër deputeti i PS, Namik Dokle duke folur për manipulimet që sipas tij mazhoranca u ka bërë zgjedhjeve të 28 qershor, ka deklaruar se persona të mbyllur në qeli kanë rezultuar se kanë votuar gjatë procesit. Sipas Dokles, një ngjarje e tillë ka ndodhur ne Fushë Kuqe. “Një i burgosur ka votuar në Fushë Kuqe. Jo një i burgosur nga ata që i liruat ju, por një i burgosur që ndodhej në burg”, ka pohuar Dokle.

Advertisement