Deri dje, socialistët ndoshta nuk e diskutonin pjesëmarrjen në seancën plenare të 18 marsit, por duket se situata është acaruar sërish pas bojkotit që ata i bënë dje seancës së komisionit parlamentar të Ligjeve ku po diskutoheshin nismat e tyre ligjore. Ata kanë dalë jashtë sallës së komisionit, pasi u ndien të fyer për kalimin që sipas tyre, deputetët e mazhorancës po i bënin në mënyrë të qëllimshme nenit 4 të projektligjit të tyre për hetimin e zgjedhjeve, i cili parashikonte hetimin e materialeve zgjedhore, duke nënkuptuar edhe kutitë e votimit. Ndërkaq, situata duket e nderë edhe pas një letre të hapur që kryesocialisti Edi Rama i dërgoi dje kryetarit të mazhorancës, Sali Berisha, përmes të cilës i bënte thirrje atij për t’u menduar mirë mbi seancën plenare të 18 marsit. Nga ana tjetër, edhe ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që kriza të zgjidhet para datës 19 mars, ditës kur pritet të mbërrijë për një vizitë në Tiranë, kryekomisioneri evropian për Zgjerimin, Stefan Fule.