Sipas raportit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, një e treta e gazetarëve të burgosur në botë gjenden në Iran. Në raport thuhet se 52 gazetarë e reporterë mbahen të burgosur në Iran, 24 në Kinë dhe 22 në Kubë. “Irani po hyn në një gjendje të përhershme shtypje ndaj medias”, pohon Zhoel Simon, drejtuesi i Komitetit. Ai shton më pas se “qeveria iraniane do ta humbasë luftën kundër informacionit”, por theksoi se gazetarët iranianë po paguajnë një çmim shumë të lartë. Sipas të dhënave të organizatës 52 gazetarët e ndaluar në Iran, përbëjnë numrin më të lartë të punonjësve të fjalës së lirë të prangosur brenda një viti në një shtet të vetëm, që prej vitit 1996 kur në Turqi përfunduan 78 gazetarë në pranga.