Tirane – Presidenti Topi takon ministrin italian per zhvillimin ekonomik

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në mjediset e Pallatit të Brigadave, ministrin italian për Zhvillimin Ekonomik, Klaudio Skajola dhe delegacionin, që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tone. Në takim Presidenti Topi dhe Ministri Skajola vlerësuan lart nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha sferat mes dy vendeve dhe popujve si dhe shprehën interesimin e përbashkët për thellimin dhe intensifikimin e tyre të mëtejshëm. Kryetari i Shtetit i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë italiane për vendin tonë, edhe në kuadër të realizimit të suksesshëm të aspiratës tonë për integrimin në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin me të drejta të plota në NATO. Nga ana e tij, Ministri Skajola vlerësoi disa prej zhvillimeve të ekonomisë shqiptare sipas standardeve të tregut të lirë, gjë që ilustrohet edhe nga prania e madhe e mjaft sipërmarrësve të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj në vendin tonë, të cilët kanë investuar dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre.
Advertisement