Kosovë – KFOR ndalon bashkëpunimin me FSK

Ky vendim ka ardhur si pasojë e parakalimit të Gardës së FSK-së me armë në manifestimin për “Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, të premten. Ndërprerjen e të gjitha formave të bashkëpunimit ia ka konfirmuar “Kohës Ditore”, zëdhënësi i KFOR-it, kolonel Hans Peter Buh. “KFOR-i ka ndaluar përkohësisht çdo përkrahje dhe të gjitha aktivitetet e trajnimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës deri në një njoftim të ardhshëm”, ka thënë ai. Zëdhënësi i KFOR-it ka shtuar se komandanti i KFOR-it është detyruar të marrë një vendim të shpejtë. “Ai ka thënë se ne do të shikojmë se cili do të jetë bashkëpunimi ynë në të ardhmen me FSK-në”, ka cituar Peter Buh, komandantin e KFOR-it në Kosovë. Lidhur me këtë vendim zëdhënësi i KFOR-it ka thënë se ka njoftuar edhe presidentin e Kosovës dhe ministrin e Forcës së Sigurisë.

Advertisement