Një fakt të tillë e ka deklaruar në seancën e djeshme plenare, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili është futur në Kuvend duke pohuar se “kriza nuk zgjidhet me procedura të ashtuquajtura parlamentare dhe as me paragjykime dhe as me anatemi”, që sipas tij po e bën mazhoranca. “Ju vendosët që megjithëse duhet të diskutohen nismat tona me një procedurë të përshpejtuar, t’i lexoni ato pas një jave dhe më vonë, në datën 18 mars”, tha ai, duke e cilësuar këtë si një lajm të keq. “Mos e humbni këtë shans që publiku kërkon të zgjidhet me rrugë politike. Pasi nëse zgjidhet në rrugë, do të jetë shumë keq për vendin”, bëri ai më tej thirrje. Më tej, Ruçi tha edhe se ky është një lajm i keq për ndërkombëtarët, të cilët presin që shqiptarët të kryejnë detyrat e shtëpisë. Duke ju kundërpërgjigjur këtyrë akuzave kryeministri Berisha ka deklaruar se mazhoranca i ka ofruar opozitës të gjitha alternativat për bashkëpunim dhe zgjidhjen e krizës, e nuk është e vërtetë se ajo po i humbet ato që opozita i ka cilësuar përmes deputetit Ruçi “shanse”. Kryeministri Berisha ka treguar se mazhoranca nuk ka refuzuar ndonjë ofertë për zgjidhjen e krizës apo ndërmjetësi, sepse qëllimi i saj ka qenë që deputetët socialistë të jenë të pranishëm në parlament. “Palët që negociojnë përpiqet të afrojnë qëndrimet e tyre, në interesin më të mirë të mundshëm. Në rastin konkret, dua të garantoj qytetarët shqiptarë se që nga shtatori deri më sot, ndonëse i përballur me kërcënimet më të egra, me trillimet më të mëdha dhe pretendimet më absurde, kemi injoruar çdo gjë dhe jemi përpjekur për interesin më të mirë të ofrojmë elementë paqësorë të një kompromisi me opozitën”, tha Berisha ndër të tjera. Sipas tij, ka qenë rast unik i një vendi në demokraci, oferta e mazhorancës që opozitës t’i ofrohet shumica në komision parlamentar hetimor për zgjedhjet. “E kemi bërë këtë jo si shenjë dobësie, por gjest njerëzie dhe mirëkuptimi ndaj opozitës, e cila humbi zgjedhjet”, tha ai më tej.