Sipas tij, ky vend përballet me sfida në betejën kundër trafikut të narkotikëve, meqënëse kufijtë e saj janë ende të brishtë dhe në mesin e policisë kufitare dhe doganës ka elementë të korruptuar. “Policia e Kosovës vazhdon përpjekjet në luftën kundër tregtisë së drogës por përballet me burime të kufizuara dhe nuk ka përparësi të madhe nga dega e antidrogës”, citon raporti në fjalë. Më tej, thekson sesi policisë kufitare të Kosovës, i mungojnë mjetet më minimale, nderkohë që trafikantët e drogës përfitojnë nga kontrolli i dobët i kufirit në Kosovë. “Trafikantët shfrytëzojnë disa rrugë të cilat nuk kontrollohen nga policia. KFOR-i nuk e ka të mandatuar luftën kundër këtij trafiku. Informatat në konsumimin e brendëshëm të drogave janë grumbulluar nga UNICEF-i dhe organizata joqeveritare “Labyrith”, që pohojnë se ka një treg lokal në rritje dhe se përdorimi i drogave po shtohet”, citon më tej raporti në fjalë. Ndërsa lidhur me përdorimin e drogës në këtë vend, thuhet se “nuk ka përllogaritje të sakta mbi numrin e përdoruesve të drogës, por UNICEF-i thotë se mund të jenë rreth 20 mijë, shumica përdorues të heroinës, megjithëse duket se kokaina po njeh popullaritet”.