Lajmi konfirmohet nga Ministria e Brendshme e cila shton se për shkak të nivelit të ujit vijojnë të mbeten të pakalueshme aksi i rrugës së Obotit në komunën Ana e Malit, si dhe aksi rrugor Bërdicë-Velipojë tek ura e Gjo Lulit në Shkodër. “Dy akse të tjera rrugore, aksi nga kthesa e Dajçit tek ura e Shirqit dhe aksi i Gorricës në komunën Ana e Malit janë të kalueshme vetëm nga mjetet e larta. Ndërsa në akset e tjera rrugore nuk paraqitet asnjë problem. Qarkullimi për në Velipojë mund të kryhet nga Benti”, thuhet në njoftimin e autoriteteve. Më pas, shtohet se po punohet në përforcim argjinaturash me thasë me rërë dhe hedhje inertesh në komunën Dajç, fshatrat Daragjat, Shirq; në komunën Velipojë, fshati Ças dhe në komunën Bushat, fshati Ashtë. Nga strukturat e ushtrisë vazhdon shpërndarja e ndihmave ushqimore dhe koncentrateve për fshatrat Obot dhe Gorricë në komunën Ana e Malit, si dhe në komunat Dajç, Velipojë, Bushat dhe Bashkia Shkodër.