Tiranë – Berisha kërkon liberalizim të vizave me Kroacinë

Ky qëndrim i është transmetuar zëvendëskryeministres kroate, Durda Adlesic, nga kryeministri shqiptar, Sali Berisha gjatë takimit të zhvilluar dje. “Kryeministri Berisha falenderoi Zëvendëskryeministren kroate për asistencën që specialistët kroatë po i japin Shqipërisë në përgatitjen e përgjigjeve për Pyetësorin e Komisionit Evropian. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha u shpreh edhe për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike mes të dy vendeve. Kryeministri Berisha sugjeroi shqyrtimin e mundësisë së një regjimi liberal vizash për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë nëpër Kroaci për arsye pune apo turizmi”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të kryeministrisë në lidhje me takimin mes Berishës dhe Adlesic. Kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e kësaj vizite për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat. Ai ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe bashkëpunimin e ngushtë të të dy vendeve tona në procesin e anëtarësimit në NATO, si dhe vlerësoi progresin e shënuar nga Kroacia në drejtim të integrimit evropian.

Advertisement