“Siç dihet, rritja e tarifave për konsumin nën 300 kv/h në 7.7 lekë/kvh ka hyrë në fuqi më 1 janar 2010, por OSSH e ka llogaritur me konsumin e energjisë të muajit dhjetor, që duhet të ishte 7 lekë (pa TVSH). Po ashtu ka ndodhur edhe me çmimet mbi fashën 300 kv/h. Të gjendur në këtë situatë absurde, konsumatorët janë ankuar pranë zyrave të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike (ERE) dhe të Zyrës për Mbrojtjes së Konsumatorëve, të cilat pasi janë njohur me problemin po reagojnë në mënyra të ndryshme”, thuhet në deklaratën e ZMK-së lidhur me një fakt të tillë. Më tej, ajo shton se nëse OSSH në mënyrë të çuditshme po kërkon thjesht dëmshpërblimin e konsumatorëve, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve i ka vënë emrin që ka kësaj historie: Vjedhje me anë të mashtrimit. “Ajo që të bie në sy në këtë paradoks tolerance nga ana e ERE-së është se OSSH nuk ka përtuar që disa ditë më parë të jetë në gjyq kundër ERE, ndërsa ky i fundit nuk merr iniciativën që njeh ligji që të mbrojë konsumatorët duke hedhur në gjyq penal OSSH-në për vjedhje me anë të mashtrimit. Dëmi që u është bërë konsumatorëve në mënyrë tinzare nga ana e OSSH-së është i rëndë, por mbi të gjitha është një akt i shëmtuar pasi për realizimin e kësaj vjedhje është përdorur mashtrimi kompjuterik duke abuzuar pikërisht me mungesën e mekanizmave mbikqyrës shtetëror në sistem”, përfundon deklarata e ZMK-së.