Një gjë e tillë sipas autoriteteve po ndodh për shkak të reshjeve të shumta që kanë rënë gjatë fundjavës, të cilat kanë shtuar edhe sasinë e ujit të pranishëm në kaskada, i detyrueshëm për t’u shkarkuar medoemos. Ndërkaq, zona e Shkodrës bëhet me dijeni se dje është vizituar nga ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha i cili deklaroi se situata hidrike në kaskadat e hidrocentraleve nuk paraqet rrezik për përmbytje. Deklarata e Bashës u bë gjatë mbledhjes së Shtabit të Emergjencave për të analizuar situatën e krijuar në vend pas reshjeve që kanë rënë ditët e fundit. “Janë marrë të gjitha masat për një menaxhim sa më të mirë të situatës në të gjitha hidorcentralet e vendit”, u shpreh Basha. Ministri i Brendshëm theksoi se situata në kaskadën e hidrocentralit të Fierzës është në normat e lejueshme nga rregulloja e menaxhimit të kaskadave. Ai shtoi se shifra e prirjeve prej 1200 metër kub për sekondë në hidrocentralin e Fierzës është e pranueshme dhe nuk përbën asnjë shkas për të marrë masat të tjera emergjente. Ministri Basha u shpreh se autoritet përgjegjëse po e ndjekin nga afër situatën dhe kanë janë në gatishmëri për çdo të papritur. Duke bërë një analizë të reshjeve, shtabi i emergjencave nuk e ka vlerësuar situatën si alarmante. Basha u shpreh se nuk mund të flitet për përmbytje tjetër në Shkodër.