Në çelje të bisedës, bëhet me dijeni se kryeparlamentarja Topalli dhe homologia Prammer evidentuan marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve tona. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit falenderoi dhe shprehu vlerësimet për mbështetjen shumë të rëndësishme, që Austria i ka dhënë Shqipërisë në proceset integruese, si dhe angazhimin e qeverisë austriake dhe e Kancelarit Gusenbauer për njohjen e statusit të Kosovës. Kryetarja e Kuvendit tha më tej se Shqipëria ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në reformat për integrim në BE, ku veçoi standartet e plotësuara për liberalizimin e vizave, si shpërndarja e konsiderueshme e pasaportave biometrike, sigurimi i kufijve, lufta kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar e reforma të tjera. Më tej, Topalli bëri me dije homologen austriake, për angazhimin dhe punën serioze që ka bërë administrata shqiptare në plotësimin e Pyetësorit të Bashkimit Evropian, i cili ka përfunduar në 90% të përgjigjeve të tij. Biseda u përqendrua më tej edhe në bashkëpunimin mes dy parlamenteve, ku të dyja kryetaret theksuan se rritja e shkëmbimit të përvojave dypalëshe, përbën një orientim kryesor, në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Temë e takimit mes dy kryetareve të parlamenteve ishte dhe organizimi e konferencës së ardhshme globale të parlamentareve.