Numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu, u ka pohuar gjykatësve të këtij qyteti se “kërkohet politikë e fortë penale” dhe se duhet punuar me më shumë efikasitet. Sipas Spahiut, Elbasani paraqet mjaft probleme në lidhje me çështjet e drejtësisë si zonë, prandaj edhe përgjegjësia e punonjësve të këtij sektori duhet të jetë në maksimum. “Mos shkelni të drejtat e palëve në gjykim”, ka qenë thirrja që Spahiu u ka bërë gjykatësve të Elbasanit, duke mos denjuar që të fshehë ndaj tyre edhe kritikat për paaftësi dhe anësi në gjykimet e tyre. “Vjedhjet dhe prostitucioni janë të përhapura në Elbasan”, tha ai më pas, duke argumentuar faktin se përse në këtë zonë të vendit kërkohet një politikë e fortë penale.