Takimi i shumëpritur mes palëve mendohet që të jetë hapi i parë i zgjidhjes së ngërçit të krijuar në politikën shqiptare që prej zgjedhjeve të 28 qershorit. Transparenca e kutive të votimit të këtij procesi zgjedhor, pritet të jetë sot kryefjala e bisedës mes aktorëve politikë shqiptarë, pasi pikërisht ajo është edhe pika më e nxehtë e krijuar mers dy poleve të politikës, që nga 28 qershori i vitt të kaluar. Kryetari i PS-së, Edi Rama, vazhdon t’i mbetet konseguent kërkesës së tij të kahershme për hapjen e kutive të votimit në ato zona ku socialistët dyshojnë se ka patur manipulime. Ndërsa kryeministri Berisha, i qëndron idesë së tij se nuk i takon mazhorancës të marrë vendim për hapjen e kutive, kur një gjë e tillë sipas tij i takon vetëm sistemit gjyqësor. E duket se në këtë vazhdë, ka për të vazhduar edhe përplasja e sotme e dy liderëve politikë tek tryeza me presidentin Bamir Topi. Nga ana e tij, presidenti i Republikës, pritet që t’u bëjë thirrje të dyja palëve që të gjejnë gjuhën e përbashkët për këtë pikë nevralgjike të marrdhënieve mes tyre, duke u përmendur argumentin e vazhdimësisë së reformave dhe nevojën e funksionimit të institucioneve, në një akord të përhershëm mes mazhorancës dhe opozitës.