Tiranë – Topalli takohet me Ministrin e Jashtëm maqedonas Milloshoski

Kryetarja e Kuvendit, duke shprehur kënaqësinë për konsolidimin e marëdhënieve mes dy vendeve fqinjë , uroi Ministrin e Jashtëm Milososki për progresin drejt BE dhe miratimin e liberalizimit të vizave me BE. Kryetarja e Kuvendit tha se është e sigurt që dhe Shqipëria do të arrijë së shpejti këtë rezultat, nisur dhe nga plotësimi i detyrimeve dhe shpërndarjes së pasaportave biometrike. Takimi mes Kryetares së Kuvendit dhe Ministrit të Jashtëm maqedonas u përqëndrua më tej në projektin madhor të infrastrukturës, Koridori 8. Të dy autoritetet e larta cilësuan projektin një investim të madh të infrastrukturës në rajon, që do të forcojë urat e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Maqedonisë, Italisë dhe Bullgarisë, veçanërisht në zhvillimin e ekonomisë, rritjes së biznesit, lëvizjes së lirë të mallrave etj. Kryetarja e Kuvendit tha se ka patur një lobim serioz të parlamenteve të vendeve të Koridorit 8, duke sjellë në kujtesë, mbledhjen e anëtarëve të Komisioneve parlamentare të Transportit, vitin e kaluar në Tiranë. “Por për realizimin e këtij projekti nevojitet një politikë më agresive nga të gjitha nivelet e pushteteve legjislativ dhe ekzekutiv, të vendeve të Korridorit 8” u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Duke kaluar në analizën e situatës politike në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit tha se bojkoti nuk është mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit, me standarte evropiane. “Dikush kërkon të sulmojë thelbin e sistemit demokratik, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ai godet parimet e sistemit të lirë dhe demokratik. Ne nuk do të lejojmë goditjen e sistemit” Kryetarja e Kuvendit siguroi Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, për gadishmërinë e Parlamentit shqiptar për të ratifikuar marëveshjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, në të gjitha fushat.

Advertisement