Tiranë – Balla, hapja e kutive transparencë kushtetuese e ligjore

Taulant Balla, deputet i PS, duke pasur si qëllim të ndalet në hetimin e zgjedhjeve, tha në një dalje për mediat se “20 vendime të Gjykatës Kushtetuese kanë gjetur fajtor Sali Berishën si shkelës të Kushtetutës, ndërkohë që pas çdo vendimi të marrë kundër tij Sali Berisha ka derdhur vrer kundër këtij institucioni”. “Tashmë për të gjithë shqiptarët dhe për institucionet ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë është mëse e qartë domosdoshmëria e hetimit të plotë të zgjedhjeve”, u shpreh Balla. Sipas tij, hapja e kutive të 28 qershorit është transparencë kushtetuese dhe ligjore, dhe për asnjë moment kjo domosdoshmëri nuk bie ndesh as me Kushtetutën, as me ligjet dhe as me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Balla vlerësoi se hetimi parlamentar lidhur me çdo çështje që ka të bëjë me demokracinë, me shtetin e së drejtës, me ekonominë, me të mirën publike në këtë vend, është një e drejtë kushtetuese e parlamentit. “Hapja e kutive të votimit është një e drejtë që buron drejtpërdrejt, jo vetëm nga fuqia kushtetuese e Parlamentit, por edhe nga fuqia e çdo qytetari në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që e gëzon të drejtën e patjetërsueshme për informim” theksoi deputeti socialist. Më tej Balla foli për bojkotin dhe protestat duke thënë se “janë të vetmit mekanizma demokratikë, në kushtet kur parlamenti është i uzurpuar për shkak të legjitimitetit të vet politik të munguar”. Për PS, “refuzimi i të drejtës për të hetuar zgjedhjet është në thelb uzurpimi i parlamentit”.

Advertisement