Pjesa e dytë e ditës do të shtojë vranësirat në të gjithë vendin dhe nën dominimin e vranësirave të dendura do të jemi deri në mesnatë, kur pritet që reshjet e shiut dhe dëborës të rikthehen në vend, fillimisht në Veriperëndim dhe më pas do të mbulojnë gjithë territorin. Temperaturat e ajrit në mëngjes do të pësojnë sërish rritje me 3 – 4 gradë në territor ndërsa mesdita nuk do të sjellë ndryshim të temperaturave. Era do të fryjë mesatare në tokë dhe e fortë në det duke arritur shpejtësinë 55 km/h nga drejtimi Jugperëndimor, ndërsa dallgëzimi në det do të jetë 5 ballë. Alternime kthjellimesh dhe vranësirash do të karakterizojnë pjesën më të madhe të kontinentit Europian përjashtuar Jugperëndimin, Rajonet e Mesdheut Qendror si dhe gadishullin Apenin, të cilët rrezikohen nga reshje shiu e dëbore të shoqëruar me stuhi të forta ere.