Arrestimi i Muçës është cilësuar jo i ligjshëm nga ana e gjyqtares Brunilda Kasmi. I pandehuri i njohur si “Vangjeli”, akuzohet për veprën penale të “dëshmisë së rreme”, dëshmi kjo e dhënë para gjykatës dy ditë më parë në dosjen “Gërdeci”. Sipas prokurorisë, i pandehuri ka dhënë para gjykatës një tjetër version në lidhje me funksionimin e fabrikës së Gërdecit, punës që kryhej në të, në krahasim me tre dëshmitë e dhëna para prokurorisë gjatë hetimeve paraprake. Organi i akuzës thotë se i pandehuri gjatë marrjes në pyetje nga organi i hetimit ka treguar se në fabrikë ka pasur fëmijë të punësuar, ndërsa para gjykatës ai ka mohuar të ketë pasur fëmijë, por kur paraqiteshin të rinj iu kërkon certifikatë. Po ashtu i pandehuri në prokurori ka treguar se ditën e shpërthimit ka qenë duke u larguar së bashku me drejtorin teknik Dritan Mixholli nga fabrika, kurse para gjykatës sqaroi se kishte qenë në restorant dhe më pas ishte nisur për në fabrikë. Një tjetër fakt i rremë i deklaruar nga Muça para gjykatës ishte se në fabrikë nuk kishte pasur më parë incidente, ndërkohë që gjatë fazës së hetimeve ai kishte deklaruar se kishte pasur incidente.