Vendimi që u miratua nga Këshilli i Ministrave erdhi me propozimin e Kryeministrit në mbështetje të Kushtetutës, ligjit “Statusi i nëpunësit civil”, dhe të neneve 76-108, të ligjit “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”. Si rregull, ditët e festave zyrtare janë ditë pushimi dhe punëmarrësi gëzon të drejtën e pagës në këto ditë. Qeveria vendosi që kur festa zyrtare bie në ditët e punës dhe me vendim të Këshillit të Ministrave ose në kontratën kolektive është vendosur të punohet, puna e kryer ditën e festës zyrtare kompensohet me një shtesë page, jo më pak se 25% ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e ditës së punës së kryer plus një pushim shtesë, jo më pak se 25% të kohëzgjatjes së kësaj pune, që merret një javë para ose pas kryerjes së saj. Ndërkohë, kur festa zyrtare bie në ditët e pushimit javor, dita e hënë është ditë pune dhe puna e kryer kompensohet me një shtesë page prej 25%.