Tiranë – Kryeministri Berisha pret kreun e Akademisë Shkencore të Malit të Zi

Djuroviç shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet midis të akademive të dy vendeve janë pjesë e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve miq. Sipas tij, bashkëpunimi i mëtejshëm midis tyre do të zhvillohet mbi bazën e projekteve të përbashkëta studimore, ku në plan të parë është ai mbi liqenin e Shkodrës. Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha e mbështeti këtë bashkëpunim dhe theksoi se studimi dhe shfrytëzimi i përbashkët i rezervave natyrore të liqenit të Shkodrës është një temë e trajtuar edhe në diskutimet midis të dy qeverive. “Ne do të thellojmë lumin e Bunës me qëllim që të evitojmë përmbytjet, por edhe për ta bërë të lundrueshëm, në mënyrë që të zhvillohet transporti i ujërave të brendshëm dhe të krijohet një hapësirë e re për turizmin. Synimi ynë është krijimi i një hapësire ekonomike të orientuar nga Adriatiku, ku do të veprojnë së bashku Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia”, nënvizoi kryeministri Berisha. Më tej, në diskutimin me mikun e shquar malazez, u trajtuan përvojat e krijuara në zhvillimin e arsimit të lartë universitar dhe lidhjen e tij me kërkimin shkencor. “Politikat tona në këtë drejtim, theksoi kryeministri, do të bazohen në konsultimet e vazhdueshme dhe në partneritetin e ngushtë me botën akademike. Ne kemi dyfishuar investimet tona në këtë drejtim dhe do t’i rrisim edhe në të ardhmen, duke zgjeruar arsimin e lartë privat dhe duke privatizuar hapësira të arsimit publik në këtë fushë. Synimi ynë është që për disa vjet të kemi 150 000 studentë dhe të arrijmë nivelin e Austrisë për numrin e tyre në raport me popullsinë”. Takimi kaloi në një atmosferë miqësore dhe të dy kryetarët e Akademive i kërkuan kryeministrit që të pranojë patronazhin e konferencës shkencore, e cila do të mbahet për Liqenin e Shkodrës.

Advertisement