Biberaj vlerëson vizitën së shpejti në Shqipëri të Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të KE-së, si dhe të reportereve të Komitetit të Monitorimit për Shqipërinë, mision ky që do të asistojë dhe mbështesë Presidentin e Republikës, Bamir Topi, në rolin e tij të mediatorit dhe në përpjekjet e tij për rikthimin e dialogut politik dhe gjetjen e zgjidhjes së krizës politike që po kalon vendi. Biberaj u ka bërë thirrje liderëve të maxhorancës dhe opozitës të ngrihen mbi interesat personalo-politike dhe të marrin përgjegjësitë e tyre përpara kombit, të vendosin interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve mbi gjithçka, dhe në zbatim edhe të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KE-së, të fillojnë sa më shpejt negociatat në tryezën institucionale dhe kushtetuese të Presidentit të Republikës, me qëllim zgjidhjen sa më shpejtë të krizës politike dhe vazhdimin e reformave për liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Mungesa e dialogut dhe bashkëpunimit politik, si dhe bojkoti institucional, po dëmton rëndë imazhin e vendit dhe funksionimin e institucioneve demokratike në vend, si dhe po rrezikon seriozisht ngadalësimin e reformave dhe procesin e integrimit të vendit në BE”, shprehet Biberaj. Sipas tij vazhdimi i mëtejshëm i krizës politike, mund të rëndojë edhe më tepër krizën ekonomike, sikurse mund të nxisë, apo edhe të gjenerojë kriza të tjera te karakterit social dhe shoqëror.