Tiranë – Berisha, Rama ti japë fund bojkotit sipas kërkesës së evropianëve, presidenti i mirëpritur si negociator

Një fakt të tillë e ka deklaruar gjatë një konference për shtyp, kryeministri Berisha, duke iu drejtuar kryesocialistit Rama se duhet të dëgjojë evropianët që po e kundërshtojnë bojkotin e iniciuar prej tij. “Uroj dhe dëshiroj që z.Rama jashtë emocioneve, të dëgjojë zërin e sinqertë të tempujve të mëdhenj të demokracisë evropiane, Parlamentit Evropian, Këshillit Evropian dhe cilitdo institucion tjetër ndërkombëtar që pohon se bojkoti është mjet antidemokratik, kur është i kësaj forme të paprecedent, pra ajo që thotë ai se njeh rezultatin e zgjedhjeve, por nuk njeh parlamentin”, deklaroi Berisha lidhur me një fakt të tillë. Sipas Berishës, Rama duhet të dëgjojë jo dashamirësit e tij në Evropë, duke iu referuar kështu parlamentarëve socialistë evropianë të cilët në deklaratat e tyre të fundit kanë dalë kundër bojkotit të socialistëve shqiptarë ndaj Kuvendit. “Respekti i Kushtetutës dhe institucioneve zgjedhore është detyrimi më madhor. Palët politike kanë të drejtë të përgatisin arbitrat dhe dokumentat, por jo të vlerësojnë ato zgjedhjet se kjo nuk pranohet as në botë dhe as kudo”, shtoi rreth këtij argumenti kryeministri Berisha. Në fjalën e tij kryeministri pohoi se “Nëse presidenti i Republikës e gjykon se mund të bindë z. Rama për t’u përshtatur me rregullat themelore të shtetit ligjor, siç është respektimi i vendimit të gjykatave për zgjedhjet, është i mirëpritur të ketë negociator mes nesh”. Berisha tha se është gati të ulet që nesër edhe me Ramën në tryezë për negocim mbi zgjidhjen e krizës. “Unë nuk refuzoj asnjë negociator, cilido qoftë ai, pasi interesi i vendit është që opozita të hyjë në parlament”, tha ai duke iu referuar konkretisht presidentit Topi si kandidaturë për të qenë në mes të zgjidhjes së krizës politike. “Por kam konstatuar që asnjë nuk ka pranuar kurrë që të pranojë rinumërimin e votave dhe shqyrtimin politik të vendimit të gjykatave dhe është vërtetetuar se kjo është e papranueshme”, tha më pas ai. Në fund, Berisha shtoi se “si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Topi ka deklaruar se nuk mund të konceptojë të merret me vendimin e gjykatave”, duke nënkuptuar në këtë mënyrë se ai është krah tij në këtë sipërmarrje politike. Sa i përket marrëveshjes me Greqinë kryeministri tha se ajo do të ecë para pavarësisht refuzimit të saj nga Gjykata Kushtetuese. Berisha theksoi se gjithsesi vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk diskutohet. “Por ne do të shohim zbatimin e mëtejshëm të saj në përputhje me të gjitha konventat ndërkombëtare”, tha më tej në fjalën e tij Berisha. Sipas tij, ligji i deteve është zbatuar me korrektesë nga ana e palës shqiptare lidhur me negocimin për këtë marrëveshje me palën greke. “Por, të pëlqen ose jo, nuk diskutohet vendimi i Gjykatës. Marrëveshja me Greqinë do të ecë para”, përfundoi Berisha reagimin e tij mbi çështjen e marrëveshjes së kufirit detar me vendin fqinj.

Advertisement