Edi Rama në një prononcim për mediat tha se “Rezoluta e miratuar e Këshillit të Europës është e qartë: Shqipëria është në krizë politike”. Kurse shpjegoi se “kriza për ne është brenda në kutitë e votimit” dhe shtoi: “Ne jemi gati të dialogojmë qysh nesër për zgjidhjen e krizës”, gjithsesi, duke paralajmëruar se “ne nuk do të heqim dorë as nga bojkoti dhe as nga protestat pa u zgjidhur kriza”. Më tej, Rama tha se PS mirëpret “përfshirjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizës siç thotë edhe Rezoluta”, duke konsideruar në përfundim, se “beteja jonë për demokracinë vazhdon sot edhe me më shumë bindje e forcë se dje”. Nga ana tjetër kryetari socialist Rama shprehu vlerësim të dukshëm ndaj Gjykatës së Kushtetuese për rrëzimin e marrëveshjes Shqipëri-Greqi, për përcaktimin e kufijve detarë mes dy vendeve. Për më tepër, Rama e konsideroi marrëveshjen si një fatkeqësi kombëtare që u arrit të ndalej. Rama tha se pushtetin Berisha e do “për të ndjellë fatkeqësi të pariparueshme për këtë komb siç do të ishte edhe hyrja në fuqi e asaj marrëveshjeje që u denoncua nga gazetarë kurajozë e u pengua momentin e fundit nga gjykatësit falë nismës së kësaj opozite”. Kurse komentoi: “Pikërisht dje, kur duhet t’u kërkonte shqiptarëve ndjesë për marrëveshjen që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese pa asnjë votë kundër, ky Esat Toptan i kohëve moderne, akuzonte si antishqiptare opozitën për ngritjen e zërit në Këshillin e Europës në mbrojtje të vlerave dhe parimeve europiane të demokracisë”. Sipas Ramës, “Sali Toptani nuk njeh kufi në paturpësinë e tij, ditën që rrëzohet për të gjashtëmbëdhjetën herë në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës e të interesave që Kushtetuta mbron, i vërsulet opozitës si rrezik për vendin, duke nxjerrë gjuhën për të bërë pis opozitarët që nuk i emëron dot në delegacionet e parlamentit dhe as i dërgon dot korridoreve të Europës për të bërë avokatinë e pushtetit të tij të fundosur në llumin e padrejtësive”. Nuk ka reshtur Rama në kritikat për Berishën, kur shtoi: “Ndërkohë që merr shuplakën e gjashtëmbëdhjetë nga Gjykata Kushtetuese në katër vjet, Sali Berisha jo vetëm nuk i thotë popullit të vet gjysmë fjale për këtë fakt të rëndë që flet vetë për shkallën e demokracisë dhe të transparencës të qeverisjes në Shqipëri, po ka paturpësinë të dalë para popullit për t’i bërë gjyqin e shpifur të radhës, opozitës”.