Haiti – Rindërtimi kërkon 10 vjet, ndihmat janë emergjente

Një fakt të tillë e ka deklaruar vetë kryeministri haitian, Zhan Max Bellerive, sipas të cilit ndihma ndaj vendit të tij paraqitet mëse emergjente ndaj u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të mos ta kursejnë atë. Ndërkaq, bëhet me dijeni se do të zhvillohet në mars në Kombet e Bashkuara në Nju Jork konferenca ndërkombëtare mbi ndihmën për rindërtimin e Haitit. Kurse sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton ka theksuar nevojën për të përmirësuar koordinimin e ndihmës ndërkombëtare. Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, furnizimi emergjent për Haitin, do të zgjasë më shumë nga ç’është menduar deri tani. “Afro dy milionë të mbijetuarit nga katastrofa e tërmetit nuk ka nevojë për gjashtë muaj, por së paku një vit për ndihma ndërkombëtare”, tha shefja e Programit Botëror për Ushqimin e OKB, Josette Sheeran në Nju Jork. Ajo u bëri thirrje të gjithë ushtrive të botës që të vënë në dispozicion ushqime të gatshme. Ndërsa presidenti i Haitit René Préval iu lut bashkësisë ndërkombëtare për së paku 36 milionë racione të tilla ushqimesh dhe 200.000 çadra para fillimit të periudhës së shirave në maj. Sipas vlerësimeve të OKB-së afro një milionë vetë kanë mbetur pa strehë në këtë shtet të Karaibeve.

Advertisement