Tiranë – Pollo thirrje opozitës ti japë fund bojkotit

Deklaratën, z. Pollo e bëri gjatë një fjalimi që mbajti pasditen e së enjtes në përkujtimin e 90 vjetorit të Kongresit të Lushnjës, i pranishëm në aktivitetet që u bënë në këtë qytet, me rastin e përvjetorit jubilar. “Nëse evokojmë sot Kongresin e Lushnjës, është rasti që të gjithë ata që janë përfaqësues të këtij populli, të bëjnë gjithçka për këtë vend dhe të bëjnë pjesë në një Kuvend, – deklaroi z.Pollo dhe shtoi: “Në një Kuvend të Republikës së Shqipërisë, sepse ashtu si edhe 90 vjet më parë edhe delegatët që erdhën, edhe ata që për shkak të rrethanave, erdhën më vonë, u bashkuan drejt vendimeve historike të vitit 1920”. “Një gjë e tillë duhet të frymëzojë të tërë që të shkojnë të flasin të debatojnë dhe të votojnë në Kuvendin e Republikës 90 vjet më vonë”, – tha Pollo duke ftuar kështu opozitën të lërë bojkotin. Kongresi i Lushnjës u mbajt në 21-31 janar 1920 ku morën pjesë delegatë të zgjedhur nga gjithë Shqipëria, me qëllim studimin e situatës së brendshme e të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin e Shqipërisë. Pasditen e 31 janarit të vitit 1920-të, Kongresi i Lushnjës u dha fund punimeve duke vendosur Tiranën, kryeqytet të Shqipërisë.

Advertisement