Tiranë – Nisin hetimet për ndërprerjen e energjisë në “Qemal Stafa”

Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Policisë së Qarku Tiranë e cila tha në orët e para të së Enjtes se për sqarimin e rrethanave të ngjarjes është formuar një grup hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore, Ekspert Kriminalist dhe Ekspertë të tjerë, i cili po kryen hetimet e nevojshme në vendin e ngjarjes. Deri tani, është kryer një këqyrje e pjesshme e vendit të ngjarjes, këqyrje e cila do të vazhdojë ditën e sotme më datë 21 janar 2010. Konfirmohet se janë shoqëruar në ambientet e policisë, punonjës të Qendrës Sportive SH.A si dhe punonjës të OSSH, të cilët po pyeten në lidhje me shkaqet e ndërprerjes së energjisë elektrike në stadium. Policia tha se është bërë e mundur, sekuestrimi i të gjithë dokumentacionit përkatës dhe i korrespondencës mbi organizimin e kësaj ndeshjeje. Ndërkohë që është informuar, Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë. Policia tha se mbi ecurinë e hetimit për këtë ngjarje, do të ketë informacion të mëtejshëm. Më herët, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, zbardhi publikisht një dokument që tha se provon fajësinë e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes OSSH në skandalin e ndërprerjes së energjisë elektrike.

Advertisement