“DPAC-ja do ti shkojë deri në fund hetimit të këtij incidenti të rëndë. Më lejoni që pikësëpari t’ju shpreh keqardhjen time, pasagjerëve të linjës Tiranë-Bolonja, të kompanisë Albanian Airlines për incidentin e rëndë të ndodhur mbrëmë, si dhe t’ju uroj mbërritje të shpejt në destinacionin e tyre. Sipas njoftimeve të konfirmuara zyrtare, avioni i tipit Airbus 320 me nr. fluturimi LV 116, me të gjithë pasagjerët në bord, është nisur nga aeroporti i Bratislavës dhe pritet të mbërrijë në aeroportin e Bolonjës në orën 16:45. Kompania Albanian Airlines mori masa për akomodimin e pasagjerëve në hotel gjatë natës së mbrëmshme si dhe për transferimin e tyre në destinacionin final, në Aeroportin e Bolonjës. Më duhet të sqaroj se, ajo që ka ndodhur mbrëmë me avionin dhe ekuipazhin e Kompanisë Air Slovakia, të kontraktuar nga ana e kompanisë Albanian Airlines është një rast mjaft i rëndë në historinë e aviacionit civil shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Për të vlerësuar dhe për t’ju përgjigjur sa më shpejt situatës, u angazhuan strukturat përkatëse institucionale shtetërore, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Jashtme, Agjensia Kombëtare e Trafikut Ajror, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Vienë dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën Ceke, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” si dhe Ambasada e Republikës Sllovake në Shqipëri. Ne si DPAC kemi vendosur kontakte që natën e kaluar me Drejtorinë e Aviacionit Civil Sllovak, dhe në bazë të procedurës standarte të aviacionit civil ndërkombëtar, Bordi Sllovak i Mbikqyrjes së Incidenteve dhe Aksidenteve, nën juridiksionin e të cilit bie incidenti, po verifikon rrethanat e incidentit si dhe ka kërkuar raport të hollësishëm nga Air Slovakia. Sipas kontakteve që kemi bërë me ta ky raport pritet të vijë së shpejti. Dua t’ju siguroj se Drejtoria e Aviacionit Civil Shqiptar do ti shkojë deri në fund hetimit të këtij incidenti të rëndë dhe do të përdorë fuqinë që i jep ligji për garantimin e të drejtave të pasagjerëve edhe në të ardhmen. DPAC do të njoftojë për këtë incident, organet kompetente të Komunitetit Europian përgjegjëse për Sigurinë në fluturim.”